Payet ngacmon Neymarin me një fotografi, e cilëson si një qenush që qan

14/09/2020 22:25

Ndeshja ndërmjet Paris Saint-German dhe Olympique Marseille të dielën mbrëma përfundoi me një zënkë të madhe.

Në minutat e fundit, lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje fizike që pasoi me pesë kartonë të kuq.

Në mesin e të përjashtuarve ishte edhe Neymar, pasi braziliani e shfrytëzoi rrëmujën për t’iu hakmarrë Alvaro Gonzalezit, të cilin e goditi prapa koke.

Pas ndeshjes, sulmuesi i PSG-së e kishte akuzuar spanjollin se e ka ofenduar në baza racore, gjë që ylli i Marseille e ka mohuar.

Gjatë ndeshjes pati edhe një përplasje ndërmjet Neymarit dhe Dimitri Payet, ndërsa tani francezi ka reaguar në rrjetet sociale.

Ai e ka publikuar një fotografi edhe në Instagram edhe në Twitter, me kokën e Neymarit të vendosur në trupin e një këlyshi teksa shihet duke qarë.

Kjo për faktin se në njërin prej komenteve drejtuar Gonzalezit, braziliani e kishte quajtur: “Qen racist!”. Dhe këtë e ka shfrytëzuar Payet duke e paraqitur sulmuesin e PSG-së si qen.

“Një bandë e organizuar. Nuk është kryeqyteti, është Marseille”, është përshkrimi i fotografisë, ku shfaqen lojtarët e ekipit fitues.

Top Channel