Për herë të parë që nga nisja e pandemisë/ Wuhan, tifozët kthehen në stadium!

07/09/2020 15:47

Tifozët e Wuhan Zall, skuadrës së Super League kineze dhe qytetit që u bë epiqendra e koronavirusit ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen e ekipit për herë të parë pas pandemisë së gjatë kundër Beijing Gouan një sfidë që u mbyll me barazimin 2-2.

Ishin rreth 300 tifozë të Wuhan Zall që përshkuan 750 km rrugë në drejtim të Suzhout për të ndjekur këtë sfidë. Ata u shfaqën me një banderolë në ambientet jashtë stadiumit ku falenderonin pjesën tjetër të vendit për mbështetjen në luftën kundër koronavirusit. Më pas ata u bënë dëshmitarë të një ndeshjeje emocionuese dhe nuk i mbajtën lotët kur panë që skuadra e tyre në harkun e 3 minutave arriti të zhvlerësojë avantazhin 2-0 të Beijing Gouan për të barazuar rezultatin në 2-2.

Ky rezultat bëri që tifozët e Wuhan Zall të harrojnë distancimin social, teksa u panë që hodhën duar në shpatullat e njëri-tjetrit dhe thërrisnin me forcë emrin e skuadrës së tyre

Super League kineze rinisi në muajin korrik fillimisht me dyer të mbyllura, më pas duke lejuar një numër të kufizuar tifozësh në stadiume. Rregulli parashikon që tifozët duhet të kryejnë teste për Covid-19 në 7 ditët përpara ndeshjeve. Fakti që tifozët tani lejohen të ndjekin ndeshjet në stadiume është një provë se Kina po e merr veten nga koronavirusi, teksa sheh që numri i të infektuarve në vend ka rënë ndjeshëm që nga momenti kur vendi u izolua në muajin shkurt.

 

 

Top Channel