Ende pa u shuar entuziazmi nga suksesi i pastër në Minsk ndaj Bjellorusisë, kombëtarja shqiptare e futbollit zbriti me këmbë në tokë në Ligën e Kombeve, duke u dorëzua 0-1 ndaj një rivali si lituania që konsiderohej më i lehtë, të paktën në letër.

Kuqezinjtë provuan fort dhe kërkuan 3 pikët ndaj balltikëve në Air Albania Stadium, por nuk morën asgjë, dhe mbyllën një mbrëmje të trishtë të karakterizuar nga një lojë mesatare dhe që u vendos nga një gafë në prapavijë.

Në start Kazlauskas testoi reflekset e Strakoshës në portë dhe ai u përgjigj mirë në sytë vëzhgues të babait të tij në tribunë, ndërsa Shqipëria vuajti të tjera minuta aspak të mira ku mund ta kishte pësuar. Për një rast të vërtetë të ekipit të Rejas duhej pritur të kalonte gjysmë ore lojë por edhe kur Sadiku kalibroi fuqinë, dështoi në shënjestër.

Menjëherë pas pushimit, Trashi një nga më të irët në fushë futi sferën në zonë, por trajektorja e tij nuk u kuptua nga asnjë, ndërsa në tapetin e Air Albanias ndodhi ajo që nuk pritej. Një gafë e Gjasulës në panik nga presioni i baltikëve, dorëzoi një top ku s’duhej dhe kjo bashkë me gabimin tjetër të Hysajt, krijoi koktejlin shpërthyes që kulmoi me avantazhin e Kazlauskas.

Të shokuar kuqezinjtë provuan të reagonin por ishin të coroditur në lojë, dhe futja e Uzunit rifreskoi disi skuadrën. Edhe futja e Talentit Broja nuk solli asgjë të re, madje një devijim i Gjimshitit për pak dyfishoi për Lituaninë. Mbrëmje për tu harruar brenda mureve të shtëpisë, që uli siparin me përjashtimin e kapitenit Hysaj. Tani në grupin tonë në Ligën e kombeve një atmosferë gati surreale, e 4 skuadra me nga 3 pikë secila.

Top Channel