Thumanë/ Bashkia e Krujës reagon ndaj PD-së: Banorët po trajtohen me bonusin e qirasë, ata që banojnë në çadra zgjedhje e tyre

05/09/2020 19:25
Foto ilustruese

Bashkia e Krujës ka reaguar sërish pas publikimeve të fundit të Partisë Demokratike mbi situatën në Thumanë.

Sipas zyrtarëve të bashkisë, procesi i rindërtimit ka nisur dhe po punohet me ritme të shpejta puna.

Në deklaratë thuhet:

“E gjithë zona e re është kthyer në një kantier të madh, për të ndërtuar banesat e reja për çdo familjar që ka humbur shtëpinë nga tërmeti dhe mbi këtë gjë nuk ka asnjë lloj ndasie, përzgjedhjeje apo përfitues të njëanshëm të familjarëve, sikundër PD pretendon. Është absurde ta mendosh, e jo më të bëhet politikë me pasojat e fatkeqësisë natyrore.

Mbi pretendimin e familjarëve, se nuk kanë asnjë lloj informacioni apo asnjë ndihmesë nga ana e institucioneve, familja e Artur dhe Selman Mirditës, trajtohen me pagesën e qerasë për banesën e dëmtuar nga tërmeti si më poshtë:

1- Artur Mirdita 5 persona, banesë 3+1= 200 mijë lekë/ muaj.
2- Selman Mirdita 6 persona, banesë 3+1= 200 mije lekë/ muaj.

Këtë pagesë qiraje, këto dy familjet e përfitojnë për të paguar shtëpinë, sikundër kanë deklaruar gjatë aplikimit për bonus qiraje. Këtë subvencion financiar do e marrin deri në dhënien e çelësave të shtëpisë së re. Po ashtu, në ditët e post tërmetit dhe ne situatën e karantinimit për shkak të Covid-19, të dyja familjet në fjalë Selman dhe Artur Mirdita janë trajtuar nga Drejtoria e Shërbimit Social me ndihma ushqimore.

Fakti që këta banorë nuk janë zhvendosur në ambiente me qira, por vijojnë të banojnë në çadra edhe pse trajtohen me bonusin e qirasë është zgjedhje dhe dëshirë e tyre dhe në asnjë rast në kompetencë apo përgjegjësi e bashkisë, apo si pasojë e trajtimit diskriminues ndaj tyre.

Të dy familjet kanë aplikuar për banesë të re pranë njësisë administrative Thumanë dhe janë përfitues të dy shtëpive individuale, ku secila do të jetë jo më pak se 100 m3 hapësirë banimi”, nënvizon bashkia.

Top Channel