Në kohë pandemie, paratë janë gjëja më e sikletshme në një skuadër futbolli dhe tkurrja e milionave nga sponsorizimet e mungesa e publikut në stadiume, ka imponuar te UEFA shpikje alternative për të garantuar mbijetesën. Te kampionët e futbollit shqiptar, ecuria e mirë në kupat kontinentale, do shëndoshë edhe financat.

Pasi eliminoi Dinamon e Tbilisit dhe u mund nga Crvena Zvezda edhe pse meritonte më shumë, Tiranën dikush e favorizoi atje lart. Bardheblutë përfituan nga fati dhe kaluan në fazën e Play Off së bashku me Ludogorets pa luajtur fare, duke garantuar edhe fitime të majme që i afrohen 1 milion eurove.

Kalimi i turit të tretë pa luajtur, me gjasë nuk do të cënojë bonusin prej 280 mijë Eurosh nga UEFA, edhe pse kjo formulë aplikohet për herë të parë këtë sezon, e do duhet të kalojë përmes sitës së burokracive. Këto para i shtohen kualifikimit të merituar në Champions, dhe suksesit me Dinamon e Tbilisit.

Tani Tirana edhe në rast humbjeje në Play Off do të arkëtojë 300 mijë Euro të tjera, që do krijojnë situatë më komode në financa te kampionët e Shqipërisë, e si rrjedhojë një merkato të fuqishme për të dominuar sërish.

Nëse kryeqytetasit kalojnë në grupet e Europa Ligës, bonuset nga UEFA do të shtohen. 570 mijë Euro ka dhënë UEFA për çdo fitore sezonin e kaluar dhe 190 mijë Euro për çdo barazim. Shumat e pafituara në fushë për barazimet, do rishpërndahen te klubet pjesëmarrës të Europa Ligës.

Top Channel