Në pritje të njohjes së të ardhmes së Lionel Messit, ndoshta përmes gojës së vetë Argjentinasit, historia që po monopolizon vëmendjen e të gjithë tifozëve në këtë verë të çmendur të tregut të transferimeve është pasuruar me një kapitull të ri.

Sipas raporteve nga mediet katalane, në fakt, Josep Maria Bartomeu ka vendosur të pushojë nga puna avokatët e studios “Cuatrecasas”, këshilltarët ligjorë si të argjentinasit ashtu edhe të Barcelonës, të cilët i konsideron “fajtorë” për këshillat dhe udhëzimet që i kanë dhënë 6 herë fituesit të “Topit të Artë” për t’u larguar nga klubi “blaugrana”.

Ky është një vendim i destinuar për të bërë shumë zhurmë, sepse studioja “Cuatrecasas” është një nga më të rëndësishmet në kryeqyqendrën e Katalunjës dhe ka qenë një pikë reference për Barçën gjatë katër viteve të fundit (kontrata e këshillimit ishte nënshkruar në vitin 2016) dhe gjithashtu përfaqësoi klubin në gjyqin e Neymarit.

Në qendër të stuhisë është në veçanti Jorge Pecourt, një avokat që punon për ekipin sportiv të firmës ligjore, i specializuar në çështjet e taksave, të drejtat e imazhit dhe aspektet kontraktuale. Mësohet se është pikërisht që ka këshilluar familjen Messi në javët e fundit, duke rekomanduar dërgimin e burofaksit nëpërmjet të cilit “Pleshti” i komunikoi Barcelonës dëshirën për të ndërprerë kontratën.

Bartomeu u tërbua, siç shpjegohet nga e përditshmja katalane “Cronica Global”, nga fakti që “Cuatrecasas” kurrë nuk e paralajmëroi klubin për qëllimin për ta bërë këtë lëvizje, duke i zënë të gjithë në befasi. Ky zhvillim i ri konfirmon se marrëdhënia mes Leo Messit dhe klubit që e rriti tani është kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme.

Top Channel