Messi i palëkundur për largimin nga Barcelona, argjentinasi nuk do të paraqitet për testin e Covid-19

30/08/2020 00:27

Leo Messi mbetet i vendosur për t’u larguar nga Barcelona. Ai e kishte të qartë se me klauzolën e largimit në kontratën e tij aktuale, do të ishte në gjendje të çlirohet nga klubi “blaugrana” sapo të përfundonte sezoni 2019-20.

6 herë fituesi i “Topit të Artë” është i sigurt që në kontekstin e ri për shkak të COVID-19, klauzola është ende në fuqi, pasi garat kanë përfunduar më vonë se sa pritej, kështu që mund të largohet që tani.

Siç kanë mësuar mediet pranë Barcelonës, Leo Messi i ka komunikuar klubit se këtë të diel nuk do të paraqitet në “Joan Gamper Sports City” për të kryer testin PCR për Koronavirusin.

Në të njëjtin komunikim, kapiteni aktual i Barçës e ka vënë veten në dispozicion të presidentit Josep María Bartomeu dhe bordit drejtues në përpjekje për të gjetur një mënyrë më miqësore të ndarjes. Në këtë mënyrë, Messi riafirmon që kontrata e tij ka përfunduar dhe vendimi i tij për t’u larguar është i palëkundur.

Top Channel