Qytetarët në Mal të Zi votojnë të dielën për parlamentin e ri dhe rezultati këtë radhë konsiderohet më i paparashikueshëm se në zgjedhjet e kaluara.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe, kërkon me ngulm ndërrimin e pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen në atmosferën e një hendeku mes bllokut promalazez dhe atij proserb, që u thellua pas miratimit dhjetorin e kaluar të ligjit për liritë fetare, të pasuar me konflikte mes shtetit dhe kishës. Ligji i lirisë fetare, i cili u pasua me organizimim e rregullt të liturgjive protestuese në rrugët e qyteteve, me mbështetjen e opozitës, por edhe të qytetarëve, ka influencuar sipas analistëve një pjesë të elektoratit besimtar ortodoks, mbështetës të DPS.

Opinionisti Milosh Beshiç i tha DW se “ky ligj i ka motivuar zgjedhësit proserbë që të dalin për të votuar dhe ka demotivuar një pjesë të votuesve të partisë së Gjukanoviçit, të cilët janë të lidhur me kishën ortodokse serbe” e cila është përfshirë direkt në fushatë. As qeveria sakaq nuk po rri duarkryq dhe mobilizon votuesit e vet. Sipas anketimeve ndërkohë, si DPS e Gjukanoviç ashtu si dhe opozita nuk sigurojnë dot më shumë se gjysmën e mbështetësve. Vlerësimet e instituteve për hulumtimin e opinionit nuk bëjnë dot një parashikim të qartë për fituesin. Në këto kushte, vota e shqiptarëve konsiderohet me rëndësi në përcaktimin e fituesit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i kërkoi popullit të Malit të Zi të mbështesë Milo Gjukanoviçin dhe Listën Shqiptare (partnere në koalicionin qeverisës) në Mal të Zi, e apele te ngjashme kanë drejtuar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut. Pas pamundësisë për të dalë në zgjedhje së bashku shqiptarët përfaqësohen nga dy koalicione, nga Lista shqiptare dhe nga koalicioni „Bashkë një Za”, që me programin e tij politik synon përfaqësimin proporcional në nivel shtetëror në Mal të Zi.

Top Channel