Merr fund “telenovela” Ibrahimoviç, sulmuesi rinovon dhe pret biletën për Milano

28/08/2020 00:26

Merr fund “telenovela” Zlatan Ibrahimoviç, pasi sulmuesi 39-vjeçar është bindur të firmosë një kontratë të re me Milanin dhe tani do të jetë pjesë e kuqezinjve deri në fund të sezonit të ardhshëm.

Mediat italiane konfirmojnë se sulmuesi dhe kuqezinjtë kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të zgjatur bashkëpunimin mes tyre edhe për një sezon dhe se Ibra pritet të mbërrijë në Milano nesër paradite, për t’u vënë nën urdhrat e Stefano Piolit.

Zlatan Ibrahimovic u rikthye te Milani dhjetorin e kaluar dhe dha një kontribut jo të vogël në rikthimin e kuqezinjve te rezultatet pozitive dhe loja e bukur, por javët e fundit rinovimi i tij ishte kthyer në një çështje.

Kjo pasi sulmuesi kërkonte 7.5 milionë euro në sezon, ndërsa Milani ishte gati t’i ofrojë 5 milionë, që mund të shkonte deri në 6 milionë bashkë me bonuset. Në fund marrëveshja është arritur për një shifër fikse prej 7 milionë eurosh, pa bonuse të përfshira.

Milani nisi grumbullimin për sezonin e ardhshëm ditën e hënë dhe Ibra nuk u paraqit, pasi nuk kishte firmosur kontratën e re, gjë që e ka bërë tashmë dhe pritet të nisë stërvitjen nga dita e nesërme.

Top Channel