Interi nuk arriti të gjejë marrëveshjen me Fiorentinën për të mbajtur edhe një sezon në Milano mbrojtësin e majtë Cristiano Biraghi, ndërsa Chelsea vijon të kërkojë plot 25 milionë euro për Emerson Palmeirin, ndaj drejtuesit zikaltër kanë ndryshuar menjëherë orientim.

Kështu dje dhe sot Marotta dhe Ausilio kanë punuar shumë për të transferuar në Milano mbrojtësin thuajse 35-vjeçar Aleksandar Kolarov, ndërsa mediat në Itali konfirmojnë se në orët e ardhshme mund të vijë edhe prezantimi i tij zyrtar.

Zikaltrit kanë arritur akordin total me mbrojtësin dhe po negociojnë me Romën, që është gati të heqë dorë nga kartoni i Kolarov, nëse arkëton të paktën 2 milionë euro, shifër kjo që nuk pritet të përbëjë shqetësim për milanezët.

Kolarov ka treguar se mund të luajë shumë mirë si në krahun e majtë të mbrojtjes me tre, ashtu edhe në krahun e majtë të mesfushës, ndërsa për më tepër është një mjeshtër i goditjeve të dënimit, aty ku Interi nuk është se ka gjuajtës të mirë.

Mbrojtësi serb ka një eksperiencë të konsiderueshme në kampionatin italian, por edhe në Europë, ndërsa Conte ka dhënë miratimin, pasi e njeh mirë personalitetin e tij dhe e cilëson si shumë të rëndësishëm për të provuar të fitojnë menjëherë.

Me afrimin e mundshëm të Kolarov, zikaltrit mund ta quajnë të mbyllur merkaton për krahun e majtë, pasi serbi dhe Ashley Young e Kwadwo Asamoah pritet të përbëjnë treshen e futbollistëve që do të luajnë në krahun e djathtë të mesfushës në rreshtimin 3-5-2 të Contes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA