Sulmuesi anglez Jamie Vardy ka vendosur të mbyllë karrierën te skuadra e Leicesterit, aty ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës dhe ku është bërë i njohur në arenën kombëtare e ndërkombëtare.

Kjo pasi pasditen e sotme 33-vjeçari firmosi zgjatjen e kontratës dhe me marrëveshjen e re, do të jetë pjesë e “dhelprave” deri në verën e 2023-shit, kur të ketë 36 vite mbi supe dhe të jetë duke medituar lamtumirën.

Vardy iu bashkua Leicesterit në verën e 2012-ës kur skuadra ishte akoma në Championship dhe debutoi në Premier League më 31 gusht të 2014-ës, në përballjen ndaj Arsenalit.

Më pas forma e tij erdhi në rritje dhe në sezonin 2015-2016 shënoi 24 gola, duke u shpallur golshënuesi i dytë më i mirë i kampionatit dhe duke ndihmuar Leicesterin që të fitojë në mënyrë surprizë titullin kampion.

Në sezonin që sapo përfundoi, Vardy shënoi 23 gola dhe u shpall golshënuesi më i mirë i kampionatit anglez, ndërsa gjatë karrierës së tij me Leicester, sulmuesi 33-vjeçar numëron 310 ndeshje dhe 130 gola të shënuar.

Top Channel