Rrahmani: Për Napolin nuk u mendova dy herë, shpresoj të gjej golin e parë “italian”

27/08/2020 00:20

Në krah të sulmuesit Victor Osimhen, i cili është edhe blerja më e shtrenjtë në historinë e Napolit, ishte edhe mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, i cili u vu në dispozicion të Gattusos vetëm para pak ditësh.

I transferuar në Serinë A një vit më parë, nga Dinamo e Zagrebit te Verona, mbrojtësi bëri paraqitje mjaft të mira gjatë sezonit dhe bindi Napolin që të blejë kartoni ne tij që në muajin shkurt dhe ta lërë në huazim te Verona deri në fund të sezonit.

Tani Rrahmani ka nisur përgatitjet nën urdhrat e Gattusos, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp pranoi se nuk u mendua dy herë për t’i thënë “po” Napolit dhe se shpreson që këtë sezon të gjejë edhe golin e parë në kampionatin italian.

“Te Verona kam kaluar një sezon mjaft të mirë dhe Napoli shprehu interes për mua, që 2-3 muaj pas nisjes së kampionatit. Menjëherë pasi menaxheri im më vuri në dijeni për ofertën e tyre, nuk u mendova dy herë për të pranuar. Në sezonin e parë në Itali kam gjuajtur shumë herë në portë, por nuk e kam gjetur ende golin e parë, ndaj shpresoj që të kem fatin me vete këtu te Napoli. Në karrierën time kam luajtur si mbrojtës qendre, por edhe si mbrojtës krahu, ndaj tani jam plotësisht në dispozicion të Gattusos për të luajtur ku të dojë ai”, u shpreh Rrahmani.

Top Channel