Në pritje të përgjigjes me shkrim, Messi pritet të paraqitet të hënën në stërvitjen e Barçës

26/08/2020 23:37

Lionel Messi ua bëri të qartë drejtuesve të Barcelonës se ka vendosur të largohet, pasi u dërgoi një letër zyrtare, ku u kërkonte aktivizimin e klauzolës që e lejon ndërprerjen e parakohshme të kontratës që skadon vetëm verën e ardhshme.

E ndërkohë që bota e futbollit “zien” nga diskutimet mbi vendimin e Messit dhe pret me ankth të mësojë të ardhmen e tij, mediat argjentinase konfirmojnë se “Pleshti’ do të jetë të hënën në Katalunjë, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Ronald Koeman. Kjo pasi avokatët e kanë këshilluar që të respektojë të gjithë detyrimet kontratore me klubin katalan, duke qenë se deri tani vetëm sa ka vënë në dijeni drejtuesit për ndërprerjen e kontratës.

Pikërisht e hëna e 31 gushtit do të jetë një ditë mjaft e rëndësishme për të ardhmen e Messit, pasi drejtuesit e Barcelonës do të bëjnë një përpjekje të fundit për t’i ndryshuar mendjen, para se t’i japin përgjigje letrës së djeshme të dërguar nga 6 herë fituesi i Topit të Artë.

Kujtojmë se Messi zgjodhi “burofax”-in, si mënyrë për të njoftuar klubin e Barcelonës se dëshiron të aplikojë klauzolën për ndërprerjen e kontratës. Kjo mënyrë komunikimi është mjaft zyrtare dhe përmban gjithmonë firmën e marrësit të dokumentit. “Burofax”-i shërben si një dokument ligjor për t’u paraqitur në gjykatë, nëse çështja do të shkojë deri atje, ndaj drejtuesit e Barcelonës janë të detyruar që shumë shpejt t’i japin një përgjigje me shkrim yllit argjentinas.

Top Channel