Vendimi i SHBA-së për të miratuar përdorimin e plazmës si trajtim për Covid 19 pati një efekt të papritur në tregjet ndërkombëtare: menjëherë pas vendimit të presidenti Donald Trump që foli për një “moment historik”, kuptimi i naftës bruto u rrit në 45.01 dollarë për fuçi krahasuar me 44.80 që ishte në mëngjes.
Lajmi i dhënë prej shefit të Shtëpisë së Bardhë u konsiderua tejet i rëndësishëm. Trump tha se plazma konvaleshente, “do të shpëtojë shumë jetë njerëzish të prekur nga koronavirusi”. Presidenti dhe Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar, gjatë një takimi me gazetarët, theksuan se një muaj pas trajtimit me plazmë ka patur një rënie me 35 për qind të vdekshmërisë tek pacientët nën 80 vjeç, që nuk kanë qenë në respiratorë, dhe që e kanë filluar trajtimin në fazat e hershme të prekjes nga virusi.
“Në prodhimin e ilaçeve të reja, ulja e vdekshmërisë me 35 për qind është një arritje e madhe”, deklaroi Azarduke shtuar se “ky është një përparim i madh për trajtimin e pacientëve”. Plazma konvaleshente sigurohet nga pacientë që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga koronavirusi dhe është e pasur me anti-trupa. Ajo është përdorur për të trajtuar dhjetra mijëra pacientë me Covid-19 në ShBA.
Pak para konferencës së shtypit, Agjencia e Ushqimit dhe Barnave, njoftoi se kishte autorizuar – por teknikisht pa i dhënë miratim përfundimtar – përdorimit të plazmës që përmban anti-trupa nga pacientë të shëruar. Një ditë para njoftimit, Presidenti Trump ishte shprehur në një postim në Twitter se “një ‘shtet brenda shtetit’ ose dikush tek Agjencia e Barnave, po e bënte shumë të vështirë për kompanitë farmaceutike të siguronin njerëz për të testuar vaksinat dhe terapitë e reja”.
“Është e qartë që synojnë ta vonojnë përgjigjen deri pas 3 nëntorit. Duhet të veprojmë shpejt dhe të shpëtojmë jetë!”, shkruante ai në një postim në rrjetet sociale.
Top Channel