“Koha për t’u zgjuar!”/ Ultrasit e Tiranës ‘shtangin’ në mes të natës Crvena Zvezdën -Video

25/08/2020 11:10

Ultrasit e Tiranës “Fanatics” duan të bëjnë gjithçka që skuadra e tyre e zemrës t’ia arrijë të eliminojë Crvena Zvezdën në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve.

Tifozët e Tiranës, në orën 4 të mëngjesit kanë ndezur fishekzjarrë te hotel “Plaza”, ku po qëndron ekipi Crvena Zvezdes. Ngjarjen e kanë përcjellë edhe “Fanatics”-at në faqen e tyre zyrtare duke ironizuar me fjalinë “Koha për t’u zgjuar!”.

‘Air Albania Stadium’ do të jetë arena që do të presë sot në mbrëmje sfidën mes Tiranës dheCrvena Zvezdës e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të ligës së Kampioneve. Skuadra kryeqytetase ka marrë zemër pas fitores ndaj Dinamo Tbilisit në raundin e parë dhe do të kërkojë të bëjë mrekullinë në këtë sfidë me skuadrën serbe që është në formë shumë të mirë dhe që synon kualifikimin në fazën e grupeve.

Është një ndeshje që parashikohet tejmase e vështirë për bardheblutë pasi përballë do të kenë skuadrën kampione në fuqi të Serbisë që drejtohet nga një emër që njihet në vendin tonë sic është Dejan Stankovic që po tregon vlerat e tij edhe si trajner përvecse si futbollist. Sfida që ka marrë nuanca nacionaliste sidomos në median serbe, do të luhet pa praninë e tifozëve në kuadër të masave për parandalimin e Covid 19. Përpara kësaj sfide, skuadra kryeqytetase ka kryer testet për coronavirus sipas protokollit të UEFA ku nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv.

Ndeshja mes Tiranës dhe Crvena Zvezda, do të jetë një ndeshje unike, pra pa sistem vajtje ardhje që do të thotë se skuadrat do të jenë të detyruara të hidhen në sulm për të tentuar të mbyllin cështjen e kualifikimit brenda 90 minutave, nëse do të ketë barazim do të kalohet në kohë shtesë e ndoshta dhe me penallti nëse do të jetë e nevojshme. Trajneri i bardhebluve Egbo në intervistën e një dite më parë deklaroi se ende nuk e ka përcaktuar se cfarë formacioni do të hedhë në fushën e lojës por nuk përjashtohet mundësia që ai të aktivizojë nga minuta e parë të njëjtët klojtarë si në ndeshjen me Tbilisin. Nëse Tirana nuk do t’ia dalë mbanë të eliminojë Crvena Zvezda, ajo do të vazhdojë aventurën evropiane pasi do të luajë në raundin e tretë të Europa League.

Top Channel