Interi vulos fatin e Conte-s/ Çfarë ndodhi në 3 orë takim të trajnerit me presidentin Zhang

25/08/2020 20:27

Antonio Conte do të mbetet zikaltër, këtë e konfirmoi vetë klubi i Interit përmes një postimi në rrjetet sociale.

Pas një takimi që zgjati 3 orë me presidentin Zhang, mesa duket është arritur dhe marrëveshja verbale midis palëve për të vazhduar së bashku ecurinë e klubit. Antonio Conte ishte në dyshim pas disa deklaratave të thëna në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Atalantës. Tekniku u shpreh i nervozuar dhe sulmoi hapur klubin zikaltër, duke lënë të kuptohet se dëshirat e tij në merkato nuk janë plotësuar.

Për këtë arsye, takimi me Zhang-un ishte i paevitueshëm dhe pritej prej kohësh. Por kur të gjithë pritnin që trajneri të shkarkohej dhe në vend të tij të emërohej Allegri, klubi bën një ndryshim plani dhe konfirmoi përsëri Antonion. Mesa duket, në këtë rast tifozët e Interit mund “të fërkojnë duart” pasi pritet të ndodhë një merkato e madhe, duke qenë se kërkesat e Contes janë të qarta, një mesfushorë “Top Player”, emri më i kuotuar është ai i Ngolo Kante dhe një sulmues që mund të shërbejë si zëvendësuesi i Lukakut apo Lautaro Martinezit.

Ndërkohë më poshtë mund të gjeni deklaratën zyrtare të publikuar në faqen e Interit:

“Takimi i sotëm midis klubit dhe Antonio Conte-s ishte konstruktiv, në emër të vazhdimësisë dhe ndarjes së strategjisë. Me të, u krijuan themelet për të vazhduar projektin së bashku”.

Top Channel