Gruaja burgoset gjashtë muaj për shkelje të karantinës së Covid-19 në Australi

25/08/2020 19:52

Një grua është burgosur sot për gjashtë muaj në Australi për shkelje të rregullave të karantinës së koronavirusit.

28 vjeçarja Asher Faye Vander Sanden kishte kaluar një muaj në shtetin e Victoria-s, që është nga më të goditurit prej Covid-19.

Më vonë ajo u lejua të kthehej në qytetin e saj Perth në perëndim të Australisë, ku duhet të niste karantinën prej 14 ditësh në një hotel, me shpenzimet e saj.

Por në vend të kësaj, ajo hyri fshehurazi me një kamion dhe qëndroi në shtëpinë e partnerit të saj, ku dhe më vonë u arrestua.

Në perëndim të Australisë, personat që shkelin rregullat e karantinës përballen me një dënim prej 12 muajsh burg ose gjobë deri në $50,000.

Avokati i Vander Sanden tha se ajo kishte shkuar në Victoria për t’u kujdesur për motrën e saj të sëmurë, por u kthye sepse nuk mund të rezistonte. Ai shtoi se klientja e tij ishte vetë-karantinuar në shtëpinë e partnerit të saj dhe nuk kishte pasur kontakte të tjera.

Por kreu i policisë McDowall e quajti Vander Sanden “të pandershme e manipuluese” dhe kërkoi burgosjen. Ndërsa gjykatësi Andrew Matthews pranoi se ajo kishte bërë një “shkelje serioze” që mund të kishte shkaktuar përhapje të virusit dhe e dënoi me gjashtë muaj prapa hekurave.

Rregullat e ashpra të kufizimeve të epidemisë kanë shkaktuar bllokimin e shumë personave në Australi si dhe disa nuk kanë arritur të marrin pjesë në varrimin e të dashurve të tyre.

FOTO GALERI
3/3
Në perëndim të Australisë, personat që shkelin rregullat e karantinës përballen me një dënim prej 12 muajsh burg

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA