Moratti bën tifozët të ëndërrojnë: Mendoj se Interi është duke tentuar të transferojë Messin

24/08/2020 20:06

Pasi dështoi të “rrëmbente” trofeun e “Uefa Europa League-s”, drejtuesit e Interit janë angazhuar totalisht tek merkato, për t’i dhuruar trajnerit Conte emrat e duhur për të rivalizuar Juventusin në kampionat, por pse jo dhe të luaj shanset në kupën e më të mirëve.

Lajmi më i bujshëm i kësaj merkatoje, padyshim është ajo që e sheh Lionel Messin zikaltër, një dëshirë e hershme në fakt kjo në shtëpinë e Interit, e cila e ka kërkuar sulmuesin më të mirë në botë që në kohërat kur president i klubit ishte Massimo Moratti. E pikërisht ish-presidenti ka folur në një intervistë për “AS”, ku është shprehur se Interi është duke punuar në këtë aspekt, megjithëse ai mendon se Leo nuk dëshiron të largohet nga Katalonja.

“Nuk është një veprim i thjeshtë ekonomikisht, sigurisht. Por pengesa më e madhe është vullneti i Messit. Duhet të kuptoni nëse ai me të vërtetë dëshiron të largohet nga Barça. Unë nuk jam aq i qartë për këtë. Megjithatë mendoj se Interi do të luaj shanset e saj nëse Lionel vendos të largohet”, u shpreh ai për AS.

Ndërkaq, kujtojmë që Lionel Messi është përfolur për një largim nga klubi që e bëri të njohur, që pas humbjes dramatike në “Champions” nga Bayern Munich me rezultatin 8-2. Klubet e kuotuara si favorite në këto momente për shërbimet e tij janë, Manchester City, Inter dhe Paris Saint Germain.

Top Channel