Kthehet Nations League/ Bjellorusia, më pas ndaj Lituanisë

24/08/2020 22:21

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të rikthehet në fushat e lojës muajin tjetër pas thuajse një viti mungesë, pak për shkak të kalendarit të UEFA-s e më shumë prej efekteve të pandemisë që tronditi planet e jetës normale, duke përfshirë dhe lojën më popullore të planetit.

Që nga 17 Nëntori 2019, përfaqësuesja kuqezi nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje miqësore ose zyrtare për shkak të Covid-19.

Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja javën e ardhshme rikthehet të na japë emocionet që na kishin munguar. Në datë 29 Gusht trajneri do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të flasë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe listën e tij të të grumbulluarve. Kuqezinjtë më datë 31 Gusht do të jenë të gjithë në urdhrat e stafi teknik në seancat stërvitore që do të zhvillohen në Kompleksin Tropikal.

Shqipëria luan ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë në 4 Shtator në Minsk dhe tre ditë më pas rikthehet në Air Albania Stadium për tu përballur me Lituaninë, rivali tjetër i grupit në këtë edicion të Kupës së Kombeve. Bjellorusët janë një skuadër e cila gjendet në vendin e 87 në renditjen e FIFA-s, poshtë kuqezinjve, ashtu si lituania e cila gjendet edhe më pioshtë, në vendin e 131 në hierarkinë botërore, praktikisht rivalë të kalueshëm që na japin shpresë për të fituar grupin.

Top Channel