Rrëmbim, vrasje dhe drogë/ OFL “troket” në Tropojë, këta janë 5 “të fortët” që u kërkohet burimi i pasurisë

21/08/2020 10:34

Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit u janë nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, pesë shtetasve.

Bëhet fjalë për Dorjan Jahelezaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”; Grenit Hasanpapaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Kreshnik Haxhiaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Mark Lekndreaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe Milazim Ndreshaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel