Pas Antonio Contes,edhe trajneri i Sevillas, Julen Lopetegui doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të finales së Europa Leagues ndaj Interit, për të cilin trajneri spanjoll foli me superlativa.

“Interi është një skuadër e kompletuar, që di të mbrohet mirë dhe të sulmojë shpejt e rrezikshëm. Për më tepër kanë një trajner të shkëlqyer si Antonio Conte që di të përgatisë ndeshjet dhe të motivojë në maksimum futbollistët”, tha Lopetegui.

Trajneri i skuadrës andaluziane pranoi se finalja do të jetë një ndeshje e vështirë, por theksoi se futbollistët e tij e dinë çfarë duhet të bëjnë në fushë, për të minimizuar rrezikun e kundërshtarit dhe për të shfrytëzuar hapësirat.

“Do të jetë një ndeshje ashtu si këto tre të tjerat që kemi luajtur ndaj Romës, Manchesterit e Wolvesit. Duhet të përballojmë mirë sulmet e shpejta të Interit, që vjen me shumë futbollistë në zonë dhe më pas të shfrytëzojmë mundësitë tona. Kam një ekip të bashkuar, që di mirë të lexojë ndeshjen dhe të sillet në mënyrën e duhur për të shkuar te suksesi. Nesër të gjithë jemi gati të japim 100% dhe shpresoj që edhe Ocampos të rikuperohet plotësisht për të luajtur nga fillimi”, deklaroi trajneri i Sevillas.

Top Channel