Më shumë se një vit e gjysmë nga hera e fundit, Luis Enrike u rikthye të stilojë një listë futbollistësh për kombëtaren spanjolle në turne zyrtarë. Në kohë koronavirusi, edhe publikimet kërkojnë strategji të reja dhe tekniku iberik iu nënshtrua diktatit të ekspertëve, duke zbuluar emrat e grumbulluar përmes maskave.

Spanja do të luajë në 3 dhe 6 Shtator në dy ndeshje të vlefshme për Ligën e Kombeve, respektivisht me Gjermaninë në stadiumin e Dyseldorfit dhe ndaj Ukrainës në kompleksin e Valdebebas. Seleksioneri iberik do të rikthehet në pankinën e Spanjës të cilën e la në qershor të 2019 për probleme të rënda familjare.

Risitë e listës janë të shumta, e përfaqësojnë përjashtimin e bujshëm të shumë yjeve, një sinjal që tregon se do të nisë tani një cikël i ri. Mes futbollistëve surprizë janë Unai Simon, Eric Garcia, Mikel Merino, Adama Traoré, Oscar, Ferran Torres por mbi të gjithë, fenomeni i Barcelonës, Ansu Fati.

Mes futbollistëve që nuk kanë gjetur vend, spikatin Jordi Alba, Isco, Saul, Ceballos, Morata dhe Alcacer. Spanja është favorite për të fituar grupin në Ligën e Kombeve.

Top Channel