Shqipëria arriti një numër rekord të infektuarish, 158 raste të reja në 24 orët e fundit, dhe dy humbje jete. Aktualisht në spitalin infektiv dhe atë Shefqet Ndroqi, po trajtohen 101 paciente të konmfirmuar positive, 17 prej të cilëve në terapi intensive, dhe katër të intubuar.
Por për pacientët e shtruar në spital, Ministria e Shëndetësisë kërkoi ndihmën e qytetarëve duke lajmëruar se, ka nisur procedurën për terapinë e plazmës konvale për trajtimin e të prekurve nga COVID19.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, zgjodhi enkas banken e gjakut në QSUT për të deklaruar se anë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID
“Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID. Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”
Një paciente 30 vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar gjak, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID19. Ndaj ministria i bën thirrje te gjithëve, Çdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatëzani, që e kanë kaluar COVID19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të gjakut/plasmëz për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale.
Emisioni Hipokrati në Top Channel i parapriu fillimit të kësaj procedure në vend. Ai i kushtoi vëmendje një emision të plotë, ku theksoi rëndësinë e madhe që ka kurimi i të sëmurëve me covid me plazmën e të sëmurëve.
Plazma hiperimune nga gjaku i të shëruarve nga covid 19 përmban antitrupat që luftojnë covid 19.
Top Channel