Pas trajnerit Kike Setien, Barcelona ekzekutoi simbolikisht edhe një futbollist të njohur që promovoi në postin e drejtorit sportiv, e tani detyrohet ta spostojë për një mijë e një arsye. Skuadra e futbollit spanjoll shkarkoi titullarin e skuadrës blaugrana, ish-mbrojtësin që mposhti një sëmundje të rëndë dhe u kthye në një simbol të rezistencës, por jo aq sa ti rezistojë kritikave dhe një disfate turpëruese në Ligën e Kampioneve, si ajo ndaj Bajernit të Mynihut 8-2.

Erik Abidal është shkarkuar nga presidenca e katalanasve për rezultatet e keqija por jo vetëm kaq. Ish-futbollisti transalpin është sakrifikuar për t’i dhënë jetë një revolucioni që do të shkundë skuadrën që dështoi në La Liga dhe në Champions, ndërsa shumë njerëz e cilësojnë si të sakrifikuarin e Lionel Mesit, futbollisti dhe kapiteni influencues i Barcelonës që pati përplasje me Abidal para pandemisë.

Emërimi i Ronald Kuman si trajner i ri do të qetësojë disi tifozët por jo zinxhirin drejtues, pasi me perëndimin e kësaj vere, do të nisë fushata për presidencën e klubit. Janë shumë pretendentë që duan ti zënë vendin Bartomeut, që nga Freksa e deri te Viktor Font, por asnjë prej tyre nuk ka preferencën e lojtarëve, e në veçanti të Lionel Mesit, futbollisti që mbetet në dilemë për të qëndruar apo jo në skuadrën që e rriti dhe i besoi, pavarësisht dështimeve të bujshme.

Top Channel