Të kthyera në strehë për endacakët, përdoruesit e drogës dhe refugjatët e ardhur nga Lindja e Mesme, por dhe në vend për hedhjen e mbeturinave, godinat e lëna në mëshirë të fatit nga pronarët janë një shqetësim serioz për komunitetin në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit.

Një prej tyre është dhe ky objekt trekatësh fare pranë qendrës së Durrësit, në bulevardin “Dyrrah”. E braktisur, godina bashkëjeton me inertet e mbetura pas një shembjeje të IKMT-së, disa muaj më parë,  dhe banorët e lagjes 11 të cilët kërkojnë sistemimin e kësaj hapësire të kthyer në vatër infeksioni dhe rreziku.

“Objekti ka kohë që është braktisur nga pronarët dhe është kthyer në banesë për endacakët që shkarkohen këtu dhe lypin atje. Plehrat për arsye të infeksioneve shqetësojnë të gjithë komunitetin…”

Degradimi i vazhdueshëm i godinës rrit pasigurinë veçanërisht për fëmijët që shpesh luajnë shkujdesshëm para pallateve të tyre, ndërsa vendndodhja e saj, vetëm 20 metra larg bulevardit kryesor, cenon dhe imazhin e qytetit turistik.

“Ky është një problem i përsëritur dhe kemi arritur ta sjellim bashkinë për të bërë një pastrim paraprak, por zgjidhje përfundimtare nuk është dhënë. Shpresojmë që do i jepet zgjidhje këtij problemi. Ne nuk jemi kundër pronës, pasi ajo është e shenjtë, por nuk është e drejtë që kjo pronë t’i bëjë dëm dhe të jetë problem për komunitetin. Duam zgjidhje që pronarët e saj ose ta prishin, rregullojnë ose ta rrethojnë. Kemi dhe fëmijë që luajnë këtu dhe objekti mund të shkaktojë dhe dëme të tjera, si shembje”.

Në këtë situatë rreziku, që shtohet më tej në kushtet e pandemisë, banorët presin zgjidhje nga bashkia dhe vetë pronarët e objekteve.

 

 

 

Top Channel