Tirana, 1 shekull bardheblu/ Klubi i futbollit të kryeqytetit feston sot përvjetorin

15/08/2020 15:28

Në një vit të komplikuar dhe me problematika të mëdha shëndetësore, dikush në futbollin shqiptar ka arsye të forta për të festuar.

Bëhet fjalë për klubin e Tiranës  që është në vitin jubilar të 100 vjetorit të tij. Një postim në rrjetet sociale nga klubi bardheblu sjell në vëmendje këtë datë të rëndësishme të tij, një 100 vjetor, të cilin Tirana e festoi në mënyrën më të mirë të mundshme duke u shpallur kampion i vendit për të 25-tën herë.

Ishte 15 gushti 1920 dita kur Tirana u konfigurua si një klub i vërtetë futbolli falë nismës së një grupi intelektualësh dhe pas 100 vitesh ajo ka gdhendur emrin e saj me shkronja të arta në librin e historisë së futbollit shqiptar. Është një klub ku kanë dalë disa prej emrave më të mëdhenj  që kanë lënë gjurmë në vendin tonë, siç janë Selman Stermasi, Adem Karapici e të tjerë, ndërkohë që me kalimin e viteve kanë dalë edhe emra të tjerë po kaq të talentuar si Fatmir Frashëri, Ali Mema, Sulejman Mema e deri te të paharruarit e viteve 80 si Arben Minga, Agustin Kol…

Tirana është një klub që ka vuajtur edhe politikën e diktaturës në vendin tonë. Pas Luftës së Dytë Botërore bardheblutë u bënë viktimë të sulmeve të qeverisë komuniste të asaj kohe siç tregojnë edhe arkivat e cila fillimisht detyroi të ndryshojë emrin në 17 nëntori, ndërkohë që krijoi edhe një sistem privilegji për dy ekipet e tjera të kryeqytetit Partizani e Dinamo. Tirana është klubi që ka fituar më shumë trofe në vendin tonë me 25 tituj kampionë të vendit, një sukses që e ka nisur në vitin 1930, ndërkohë që më i fundit është ai i këtij viti, në 19 korrik. Tirana ka triumfuar në Kupën e Shqipërisë 16 herë, ka fituar 11 Superkupa të Shqipërisë.

Por bardheblutë kanë edhe momentet e tyre të dhimbshme sic ishte rënia në kategorinë e Parë në sezonin 2017/2018, një moment që e kaloi pas një viti. Aktualisht Tirana është mbretëresha e futbollit shqiptar dhe me titullin e 25 feston 100 vjetorin e saj, një shekull plot histori, suksese por edhe lot e dështime.

 

Top Channel