Pas Stefano Piolit, Milani po punon edhe për rinovimin e kontratës së sulmuesit suedez Zlatan Ibrahimovic, por negociatat me menaxherin Mino Raiola nuk janë asnjëherë të lehta dhe për momentin gjithçka ka mbetur pezull.

Kjo pasi klubi i Milanit i ka ofruar sulmuesit 39-vjeçar një kontratë një vjeçare me pagë 5 milionë euro në sezon, plus një milionë euro në formë bonusi, ndërsa nga ana tjetër Raiola këmbëngul për një pagë fikse prej 7.5 milionë eurosh. Aktualisht bisedimet kanë mbetur pezull, por shumë shpejt kuqezinjtë dhe Raiola pritet të ulen sërish në tavolinë, ku përveç kontratës së re të Ibrës, do të duhet të flasin edhe për rinovimin e portierit Gianluigi Donnarumma.

Edhe këtij të fundit i skadon kontrata verën e ardhshme dhe Milani do të provojë të rinovojë për të paktën edhe dy sezone të tjera, ose në të kundërt do të marrë në konsideratë ofertat për ta shitur menjëherë. Për Donnarummën te Milani janë gati t’i ofrojnë një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, për të rinovuar deri më 2023-shin, ndërsa Raiola kërkon edhe përfshirjen e një klauzole për prishjen e kontratës në këmbim të 40-50 milionë eurove.

Sa i përket merkatos në hyrje, kuqezinjtë janë duke ndjekur me vëmendje “tregun londinez”, pasi duan të transferojnë në Milano mesfushorin francez Tiemoue Bakayoko dhe mbrojtësin nga Bregu i Fildishtë Serge Aouar. I pari është pjesë e Chelseat dhe londinezët kërkojnë të paktën 20 milionë euro për ta lënë të lirë, ndërsa të njëjtën shifër kërkon edhe Tottenham për të hequr dorë nga Aouar, por Milani nuk ka ndërmend të shkojë përtej 30 milionë eurove në total për të dy futbollistët.

Top Channel