Vetting-u/ Denoncimet e qytetarëve, 4856 raste për prokurorë e gjyqtarë

13/08/2020 10:31

Denocimet e qytetarëve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve nuk kanë ndalur as përgjatë periudhës së pandemisë, kur Komisionet e Vetting-ut ndalën aktivitetin.

Edhe pse ka pasur një rënie të ndjeshme gjatë muajve të izolimit, janë regjistruar në total 436 kallëzime për 5 muajt e parë të vitit 2020. Ka qenë muaji prill ai që ka shënuar numrin më të ulët të denoncimeve, që korrespondon edhe me kulmin e izolimit.

Ndërkaq, në total ka arritur në 4,856 numri i denoncimeve të qytetarëve pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që prej vitit 2017, kur ai nisi zyrtarisht aktivitetin. Viti me numrin më të madh të ankesave ka qenë 2018, kur në drejtim të shkallës së parë të Vetting-ut janë dërguar 1858 denoncime nga qytetarët në drejtim të gjyqtarëve e prokurorëve.

Komisioni fton prej kohësh të gjithë qytetarët të paraqesin pranë tij çdo dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.

Disa prej denoncimeve kanë luajtur edhe rol kyç në vendimet e trupave gjykuese, siç qe edhe rasti i një gjyqtari që kishte kërcënuar përmes mesazheve telefonike një qytetare, e cila konkurronte për një vend pune me bashkëshorten e tij.

Vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranon se ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i  bashkëlidhet  dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit,  shqyrton dhe vendos për të.

 

 

 

Top Channel