Makthi i koronavirusit rikthehet të kërcënojë seriozisht kompeticionet dhe botën e futbollit, në një kohë që bota normale ende është në kërkim të një vaksine që mund të sjellë normalitetin. Në shumë prej vendeve që kanë edhe kampionatet kryesore, por mbi të gjitha në ekipet elitare, kanë shpërthyer raste pozitive që kanë vënë në pikëpyetje sezonin e ri.

Në Spanjë një nga vendet e goditur më keq, pas rasteve pozitive të futbollistëve Korrea e Vrsalko, dy lojtarë të tjerë te Valencia, një te Espanjol dhe një te Betis, nuk kaluan dot testin e tamponit. Por këmbana e alarmit kumbon më së shumti në Ligën e Kampioneve. Kur numërohen orët deri në fazën emocionuese “final 8” si asnjëherë më parë, në Portugali e cilësojnë një revansh të bukur që mes ekipeve do të jetë dhe Atalanta, skuadra e Bergamos, qyteti i masakruar nga koronavirus.

Kryeministri portugez Kosta, do të jetë prezent në ndeshjen e parë të finaleve të Lisbonës, atë që impenjon Atalantën ndaj Paris Sën Zhermen. Ndërkohë në Skoci, autoritetet kërcënojnë të anulojnë nisjen e kampionatit të ri pas rasteve të thyerjes së karantinës, nga futbollistët elitarë. Rasti i fundit te Sëlltik vjen pas skandalit dhe festës që solli infektimin e 8 lojtarëve të Aberdeen.

Top Channel