Aksion nga RENEA/ Breshëri plumbash te hoteli në Tushemisht, kapet organizatori dhe 3 bashkëpunëtorët

12/08/2020 09:46

Organizatori dhe tre bashkëpunëtorët e dy sulmeve me armë të ndodhura në një hotel në Tushemisht, ku u qëllua me breshëri plumbash duke dëmtuar 7 makina të parkuara dhe xhamat e hotelit kanë rënë në pranga gjatë operacionit policor të koduar “Driloni”.

Kështu u arrestua organizatori Ilir Berberi, 52 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike); Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).

Ndaj shtetasit Ilir Berberi,, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, shtetasit Ilir Berberi, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Kujtojmë se tre ditë më parë u vu në pranga edhe një bashkëpunëtor tjetër, Mariglen Topuzi. Ndërkohë Meardi Berberi dhe Brian Syzo janë të shpallur në kërkim.

Po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Me kallashnikov në dorë dhe maskë, momenti i sulmit te hoteli në Tushemisht – Foto

Top Channel