Bojkoti i Superiores/ Ekipet e futbollit kërkojnë lehtësi nga taksat

10/08/2020 16:28

Liga e Futbollit Profesionist në Shqipëri vijon me kërkesat e saj në drejtim të qeverisë Shqiptare, kërkesa që ajo i bëri pas mbledhjes së 5 gushtit pas një takimi me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ky Institucion bëri hapin tjetër konkret teksa iu drejtua me një letër zyrtare kryeministrit të vendit Edi Rama për plotësimin e tyre. Në Letrën e saj Liga e Futbollit përshkoi gjendjen e vështirë financiare të klubeve të Kategorisë Superiore që është përkeqësuar më shumë pas situatës së krijuar nga pandemia coronavirus në Shqipëri.

Kërkesat e bëra në drejtim të kreut të qeverisë shqiptare janë ato që u komunikuan edhe në media pak ditë më parë. Liga e Futbollit profesionist kërkoi ndryshime në ligjin për sponsorizimet me aplikimin e e sistemit të zbritjes nga tatim fitimi. Po kështu u kërkua përfshirja e veprimtarisë ekonomike të klubeve në skemën e uljes së TVSH në masën 6%.

Një tjetër kërkesë e Ligës së Futbollit në drejtim të qeverisë është edhe falja e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet fiskale të klubeve si dhe përjashtimi nga tatim-fitimi i futbollistëve për një periudhë 2-10 vjet. Në rast se këto kërkesa nuk do të plotësohen, Liga e futbollit bën të ditur se do të bojkotojë sezonin e ri të Kategorisë Superiore, diçka që do të ishte e paprecedentë.

Liga e Futbollit Profesionist në Shqipëri e mbylli letrën e saj drejtuar Ramës se është gati të diskutojë me autoritetet për këtë cështje për gjetjen e një kompromisi

Top Channel