Koronavirusi po kthehet në shumë vende të botës dhe jo gjithnjë është e lehtë të vendosësh gishtin mbi shkakun e rasteve të shtuara.
Veçanërisht në vende si Britania e Madhe ku sëmundja vazhdon të qarkullojë në nivele domethënëse. Por në vendet ku rastet ditore ishin të ulëta dhe me skema rigoroze testimi e gjurmimi, ka qenë e mundur të veçohen faktorët që kanë çuar në shtim të rasteve.
Udhëtimet jashtë, janë një nga shkaqet, e ky është rasti i Hong Kongut ku po raportohen më shumë se 100 raste në ditë për nëntë ditët e fundit. Vizitorët që kthehen në vend dhe që janë të përjashtuar nga rregullat strikte të vlefshme për të tjerët, duket se kanë çuar në këtë rritje rastesh. Në Korenë e Jugut dhe Francë, rritja lokale e infektimeve është lidhur me klubet e natës. Javën e shkuar në një resort në Bretanjë, u raportuan dhjetëra infektime, kryesisht mes 18-25 vjecarëve.
Gjurmimi i kontakteve zbuloi se shpërthimi filloi nga një punonjës sezonal i vetëm. Fabrikat e përpunimit të ushqimeve dhe tregjet, ku njerëzit punojnë apo gjenden në kushte ku distancimi social nuk mund të respektohet gjithnjë, kanë shërbyer si inkubatorë për sëmundjen në disa vende, përfshirë Gjermaninë, SHBA, Kinën etj. Por në shtimin e rasteve kanë kontribuar edhe tubimet masive, që në shumë vende vazhdojnë në vendet që e kishin vënë nën kontroll virusin dhe ato që nuk kanë arritur asnjëherë ta bëjnë këtë.
Top Channel