Sot bëhen 20 vjet që nga vrasja në krye të detyrës të drejtorit të Policisë së Prefekturës së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftari. Ai ka mbetur i vdekur pasi ka marrë një breshëri plumbash automatiku gjatë drejtimit të një operacioni kundër dy personave të kërkuar.
Zylyftari ishte një prej emrave më të njohur në Polici. Ai ka drejtuar komisariatet dhe drejtoritë e policisë në Skrapar, Vlorë, Korçë, Lezhë dhe për pak muaj mbajti postin e drejtorit në Policinë e Shkodrës. Një nga operacionet e tij më të suksesshme në karrierën e tij, është edhe arrestimi për herë të dytë i kapobandës së Vlorës, Zani Çaushi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në ceremoninë për 20-vjetorin e rënies në krye të detyrës tha se: Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qyetarët, por fatëkeqësisht këto 3 dekada, dora e pabesë që u ngrit mbi ty Arben ka më shumë se 3 dekada që përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re.
Fjala e plotë
Të nderuar Elsa, Eni e Franc Zylyftari,
E nderuar Prefekte e Qarkut,
I nderuar Kryetar i Këshillit të Qarkut,
I nderuar Kryetar i Bashkisë,
Të nderuar kolegë, miq, shokë e të afërm të Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari,
Të nderosh veprën dhe të kujtosh ata që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për të përmbushur me nder detyrën, për t’i shërbyer me dinjitet vendit, nuk është detyrë e radhës, por është obligim e detyrim moral për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë, ndaj dhe jemi sot këtu për të kujtuar e nderuar veprën dhe sakrificën e kolegut, mikut, shokut e familjarit Arben Zylyftari.
Sot është një ditë kujtese dhe vlerësimi, një ditë apeli dhe reflektimi, një ditë për të risjellë në vëmëndjen e të gjithëve vlerat dhe sakrficën sublime të qindra Dëshmorëve të Policisë.
E kam të vështirë të flas për një oficer policie që ka humbur jetën në krye të detyrës në përballje me krimin, por e kam akoma edhe më të vështirë kur këto fjalë duhet t’i them për një nga miqtë me të cilin punova afër për një vit në Vlorë. Rënia e tij në krye të detyrës ka lënë gjurmë të forta tek unë.
Zakoni e do që të thuhen fjalë të mira për atë që ikën nga kjo botë. Por Arbeni e kishte shkruar vetë respektin, mirënjohjen dhe dinjitetin në çdo ditë të detyrës së tij, me peshën e misionit që mbante mbi supe.
Të nderuar pjesëmarrës,
Si sot 20 vite më parë, dora kriminale vrau në krye të detyrës, një nga oficerët dhe drejtuesit më shembullorë të Policisë së Shtetit, i cili nuk zgjodhi të komandonte nga zyra, por i udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi, përgjegjësia, drejtoi operacionin policor për kapjen e një autori me veprimtari të rrezikshme kriminale dhe fatkeqësisht, gjatë kryerjes së operacionit, dora kriminale i mori jetën Arbenit.
Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qyetarët, por fatëkeqësisht këto 3 dekada, dora e pabesë që u ngrit mbi ty Arben ka më shumë se 3 dekada që përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re.
Për Kolonel Zylyftarin kam ndjesi krenarie të dyfishtë, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si shok e mik i tij.
Eni, Franci, kolege Elsa dhe ju familjarë të Arbenit,
Përtej dhimbjes e mallit për mungesën 20-vjeçare, përtej lotëve, Ju duhet të ndiheni krenarë për veprën dhe sakrificën e njeriut tuaj të dashur e të shtrenjtë, por jo vetëm ju, krenarë ndihemi të gjithë ne, pjesëtarët e organizatës së Policisë e do ndihen të gjithë brezat që do të vijnë.
Arben Zylyftarit dhe të gjithë Dëshmorëve të Policisë u jemi mirënjohës për sakrificën dhe iu detyrohemi të vazhdojmë dhe të përmbushim misionin tonë, sa fisnik aq edhe të vështirë, luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar, sigurimin e rendit e qetësisë dhe për t’i shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve.
Nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, shembull më të fortë se ai i Arbenit, për ta bërë Shqipërinë vend më të drejtë.
Sot Policia e Shtetit përballet me sfida të reja, për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë, për Enin dhe Francin, për një Shqipëri më të sigurt, për atë që ai dha jetën.
Sfidat nuk na dobësojnë, por na ndriçojnë rrugën që duhet të ndjekim.
Ndaj sot përulemi me respekt e mirënjohje të thellë, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë së vëni para drejtësisë shkelësit e ligjit.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari!
Faleminderit!
Top Channel