Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë, administratorin e një lokali pasi u konstatua se ushtronte aktivitet me muzikë live në kundërshtim me Aktin Normativ.
Bëhet fjalë për një lokal në Njësinë Administrative Ishëm. Për këtë subjekt me pronar shtetasin A.E, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Po kështu policia ka proceduar penalisht edhe dy shtetas për veprën penale “Pushtimi i tokës”, të cilët janë evidentuar gjatë kontrolleve në plazhe për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlonge në mënyrë të paligjshme.
Saktësisht B.T., 49 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm dhe E.Sh., 27 vjeç, gjithashtu banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Shetaj, u konstatua se shtetasit e mësipërm kishin zënë me shezlongë, një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel