Në studion e emisionin “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar ish-presidenti Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij ish-presidenti nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se kryeministri e ka lënë vendin pa institucion, duke shtuar se çdo ditë në vend po instalohet termi i dhunës. Ndër të tjera ai tha se qytetarët e thjeshtë nuk ndihen të lirë të flasin, intelektualët gjithashtu po merren nëpërkëmbë…

“Ky njeriu këtu (Drejton gishtin tregues në drejtim të portretit të kryeministrit Edi Rama) në mënyrë absolute e ka lënë Shqipërinë pa institucione. Të lësh Shqipërinë pa institucione dhe të kesh kurajën të mbash ligjërata bombastike në parlament kjo është një tallje një fyerje për shqiptarët. Ata shqiptar që kanë preferuar që ta zgjedhin le ta mbajnë, Shqipëria nuk është e vetëm një pale. Shqipëria është edhe e atyre që s’kanë parti politike. Shqipëria është edhe e intelektualëve që janë marrë nëpërkëmbë, që janë lënë atje në nivelin më të ulët të shoqërisë, sepse diçka tjetër flet sot.

Në një shtet që po instalohet çdo ditë jo me termin që kanë evropianët sot dhe bota e përparuar me elegancën, por me termin e dhunës, unë patjetër më vjen keq që shqiptarët ikin, por unë e justifikoj se përse ikin. Ikin se së pari nuk ndihen mirë, nuk janë të lirë. Të diskutosh në vitin 2020 që ti nuk je i lirë dhe përfytyroni kush e ndien më shumë, e ndjejnë intelektualët. I ke parë që janë strukur. Një vend që nuk i trajton intelektualët në mënyrë normale mos prit që kanë të ardhme. Të gjitha deklarimet që bëhen sot në parlament të krijojnë një nauze, unë besoj që ai që frenon rotacionin politik do të jetë patjetër shkaktar i mjaft problemeve, qoftë të karakterit politik, qoftë ato që prekin rendin kushtetues. Ky është rendi kudo në botë”, tha Topi.

Top Channel