Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit, Ali Abdel Aal Sayyed Ahmed, me rastin e 23 korrikut, Festës Kombëtare të Egjiptit.
“Me rastin e 23 korrikut, Festës Kombëtare të Egjiptit, Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.
Dita e Revolucionit, e cila kremton themelimin e republikës moderne të Egjiptit 68 vjet më parë, më 23 korrik 1952, është një ngjarje e madhe historike për kombin, të ardhmen dhe emancipimin politik e shoqëror të Egjiptit si edhe mirëqenien e popullit mik egjiptian.
Shqipëria dhe Egjipti kanë marrëdhënie e bashkëpunim shumë të mirë, i cili është kontretizuar edhe në shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Bashkëpunimi dypalësh mund të zgjerohet më tej, sidomos në fushën ekonomike, të investimeve e shkëmbimeve tregtare si edhe koordinimin e veprimeve për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në rajonin e Mesdheut e më gjerë.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Egjiptit mbështeten në miqësinë tradicionale e historike midis dy popujve tanë. Personalitetet shqiptare kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe në formimin e shtetit të Egjiptit dhe në vendin Tuaj kanë ushtruar veprimtarinë e tyre mjaft patriotë të shquar shqiptarë, të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit ekziston një bashkëpunim shumë i mirë, i cili është në rrugën e fuqizimit e rritjes, nxitur e mbështetur edhe nga grupet parlamentare të miqësisë që funksionojnë në dy parlamentet tona.
Duke përfunduar, më lejoni, Zoti President, të shpresoj që Egjipti të dalë sa më shpejt nga situata e pandemisë, populli mik egjiptian t’i kthehet jetës normale dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Egjiptit të rifillojnë bashkëpunimin midis tyre.
Duke Ju uruar edhe njëherë Gëzuar Festën Kombëtare të Egjiptit, kam kënaqësinë që t’ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë Tuaj.”, shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Top Channel