Parma i jep fund “agjërimit”, mposht Napolin në një sfidë të vendosur nga penalltitë

22/07/2020 23:44

Parma i dha fund “agjërimit” prej 7 ndeshjesh pa fitore, gjatë të cilave numëronte 6 humbje dhe një barazim, pasi mbrëmjen e sotme triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Napolit në sfidën e zhvilluar në “Tardini”.

Emilianët vinin në një moment vërtetë të vështirë, që i kishte nxjerrë edhe nag pretendimet për një vend në zonën Europa League të renditjes, por ditën të reagojnë dhe arritën të marrin 3 pikë morali ndaj Napolit.

Interesant është fakti se të tre golat er takimit u shënuan me penallti, teksa në minutat shtesë të pjesës së parë ishte Giuseppe Caprari që kaloi në avantazh Parmën, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte Lorenzo Insigne që riktheu baraspeshën nga 11 metrat.

Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, arbitri akordoi një tjetër 11-metërsh për Parmën, të cilin këtë herë e shndërroi në gol sulmuesi Dejan Kulusevski, duke vulosur kështu suksesin me shifrat 2-1.

Vlen të theksohet se të dy skuadrat nuk kanë më asnjë objektiv të mbetur në lojë, ndaj respektojnë kampionatin deri në fund, pasi Napoli e ka siguruar një vend në Europa League si fitues i Kupës së Italisë.

Top Channel