Hetimet për Tirana-Bylis/ Dështon seanca e komisionit të etikës për shkak të mungesës së kuorumit

22/07/2020 20:00

Dështon seanca e radhës së Komisionit të Etikës për shkak të mungesës së kuorumit. Nga pesë anëtarë të këtij komisioni, vetëm dy ishin të pranishëm në këtë seancë, kryetari Fatmir Brraka dhe anëtari Bashkim Koka.

Ndërkohë sa i përket dëshmisë së presidentit të klubit Tirana, Refik Halili, ai e ka sjell shkresën e tij që ditën e premte, ku sipas burimeve për Top Channel, brenda Komisionit të Etikës, nuk ka pasur ndryshim nga deklaratat e tij të mëparshme për këtë ndeshje.

Ndërkohë të njëjtat burime deklarojnë se ende nuk ka një datë për mbledhjen e radhës së Komisionit të Etikës dhe aq më pak të vendimit. Si rrjedhojë, sezoni 2019/2020 do të përfundojë normalisht me datë 28 korrik dhe me shumë gjasë edhe përpara finales së Kupës së Shqipërisë që do të luhet me dy gusht mes Tiranës dhe Teutës, nuk do të ketë një vendim për këtë çështje. Komisioni i Etikës do të analizojë edhe njëherë provat dhe t’i ballafaqojë me analizën e ekspertëve dhe raportin e Uefas për të nxjerrë një përfundim për këtë çështje.

Top Channel