Mbjellja e “barutit të qepës”/ Qepa e veçantë e Malësisë së Buzit

21/07/2020 12:31

Në Malësinë e Buzit, baruti i qepës është një produktet më interesante të zonës. Arsyeja përse qepa është mbjellë në këtë lartësi dhe ka pasur rezultate shumë të mira përgjatë dekadave, lidhet pikërisht me lartësinë mbi 800-900 m ku besohet se kjo bimë preket shumë pak nga sëmundjet tipike.

“Si të gjitha familjet e fshatit Gllavë edhe familja ime është marrë me barutin e qepës që nga koha e komunizmit dhe në fshatin tonë ka pasur edhe parcela individuale familjare dhe duke ditur që ka qenë një produkt i kushtueshëm dhe kishte interes të gjitha familjet në fshatin tonë mbillnin barutin e qepës. Kur ka humbur tradita? Tradita ka humbur pas viteve ‘90 kur gjithë fshati filloi emigrimin, kanë ikur nëpër qytetet e mëdha të Shqipërisë dhe në këtë moment u ndërpre edhe mbjellja e barutit të qepës.”

Baruti i qepës, fara e cila në kohën e monizmit eksportohej drejt Gjermanisë dhe siguronte të ardhurat kryesore për kooperativën e asaj periudhe mund të rikthehet thonë agronomët sepse toka qëndron këtu, parcelat janë këtu, tradita është ende këtu e ndoshta edhe fara.

“Në këtë zonë që jemi ne këtu në fshatin Gllavë  por edhe më tej në disa fshatra të zonës të Buzit, por edhe zonës së Beratit, Rehova dhe disa fshatra të Përmetit janë kultivues të qepës së kuqe që quhet qepa e Dishnicës. Kjo qepë në kuzhinën tonë përbën rreth 70% të qepës që përdoret për t’u gatuar. Kjo qepë është me shumë interes se ka një prodhim të garantuar në ato zona të thata dhe pa ujitje dhe rron për shumë kohë për përpunim dhe siç i thonë një fjale popullore “zë qepa qepën”. Problem në kultivimin e qepës që është një bimë trevjeçare përbën prodhimi i farës së qepës ose i barutit të qepës. Baruti i qepës do një teknologji të veçantë por edhe kërkon kosto. Zona jonë ka një traditë shumë të madhe në përgatitjen e barutit të qepës dhe kjo farë shkonte e gjitha për eksport dhe krijoheshin shumë të ardhura. Për atë kohë 1kg farë qepe elitë ishte 2000-2500 lekë kg. Për gjithë këtë pasuri të madhe mungon sot tregu i jashtëm. Ne nuk po çajmë dot sepse nuk ka individë të interesuar që të hapemi në tregjet e jashtme. Në Gjermani është shitur më parë dhe do ishte një e ardhur shumë e madhe për këtë zonë malore.”

Fara e qepës e humbur gjatë dekadave të fundit është është një nga asetet kryesore të kësaj zone.

Top Channel