Para kamerave prindërit e 16 vjeçares shqiptare Maria Hyseni që u gjet e vdekur para tre ditësh në oborrin e kishës së Shën Ilias në Trikala, këmbengulin se vajza e tyre nuk ka vrarë veten, por është viktimë e një krimi.
Organet policore, megjithëse raporti mjeko-ligjor konkludon se bëhet fjalë për plagë në trupin e saj që ndoshta janë shkaktuar nga rënia, nuk e kanë mbyllur çështjen, pasi sot janë hapur edhe tabulatet telefonike të të gjithë personave që kanë qenë pranë vendit të ngjarjes ditën e vdekjes së 16 vjeçares.
Prindërit e saj nuk e dinin që vajza kishte lidhje me një oficer police 27 vjeç, i cili e ka shoqëruar vajzën pranë shtëpisë në orën 3 pas mesnatë dhe siç duket në kamerat e sigurisë të zonës e ka lënë atë disa metra larg shtëpisë dhe është larguar.
Ajo që shqyrtojnë hetuesit tashmë është fakti që menjëherë pas ndarjes me të ,16 vjeçarja nuk ka hyrë në shtëpi pasi dikush e ka marrë në telefon dhe ajo është larguar në drejtim të paditur, për tu gjendur më pas e vdekur në oborrin e kishës në një pellg gjaku e me shenja në kokë e në trup.
Gjithësesi prindërit këmbëngulin se vajza nuk mund të hipte në çatinë e kishës pasi ishte thuajse e pamundur për një vajze të ngjitej në një skelë që ndodhej pranë saj.
Edhe motra binjake e Marias pohon se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, por për një krim, duke akuzuar edhe oficerin e policisë se si mund të dilte me një vajzë të mitur orët e vona të natës. “Do ta çoj çështjen deri në fund sa të qetësohet shpirti i vajzës sime” thotë i tronditur edhe babai i saj.
Tragjedia e vajzës shqiptare ka tre ditë që është pjesë e edicioneve të lajmeve të të gjithe mediave greke që presin me interes zbardhjen e çështjes, duke theksuar se ka shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje duke mos përjashtuar edhe shumë pista të ngjarjes.
Top Channel