Arteta mposht “mentorin” e tij, dopieta e Aubameyang çon Arsenalin në finale

18/07/2020 23:35

Pas më shumë se tre vitesh si ndihmës i Pep Guardiolës në pankinën e Manchester Cityt, Mikel Arteta u largua dhjetorin e kaluar për të nisur një eksperiencë si trajner i parë te Arsenali dhe me “topçinjtë” ia doli të sigurojë kalimin në finalen e FA Cup, duke mposhtur më gjysmëfinale pikërisht “citizens”-at me të cilët e kishte nisur këtë sezon.

Në gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni, të zhvilluar në stadiumin mitik “Wembley”, Arsenali ia doli të përballojë më së miri dominimin e djemve të Pep Guardiolës dhe të shënojë dy herë me kundërsulm, duke mbyllur takimin në shifrat 2-0.

Ishte sulmuesi Pierre Emenick Aubameyang ai që zhbllokoi sfidën në minutën e 19’ të saj, teksa pas një krosimi të saktë të Nicolas Pepe, u lirua në shtyllën e dytë dhe gjuajti saktë duke dërguar sferën në rrjetën e portës së Ederson.

Manchester City provoi të reagojë menjëherë dhe mori kontrollin e sfidës duke dominuar në mbajtjen e topit, por që nuk arriti të konkretizojë në raste të pastra shënimi, ndërsa “topçinjtë’ e kishin përgatitur mirë sfidën, pasi u mbrojtën me forca të shumta.

Në momentin më të mirë të Manchester City-t, ishte sërish një kundërsulm i shpejtë i nisur nga Pepe i cili shërbeu për Tierney dhe ky i fundit nisi me një pasim të gjatë Aubameyang, ndërsa sulmuesi nga Gambia nuk gaboi përballë Ederson, duke shënuar edhe golin e dytë.

Manchester City provoi deri në fund që të rihapë takimin, por pa ia dalë të vërë në vështirësi portierin 27-vjeçar argjentinas Damian Martinez, ndërsa vërshëllima finale e arbitrit Jonathan Moss la në fuqi rezultatin 2-0 në favor të “topçinjve”.

Arsenali bëhet kështu finalisti i parë i FA Cup për sezonin 2019-2020 dhe nga përballja e nesërme mes Manchester United dhe Chelsea-t do të mësojë edhe kundërshtarin me të cilin do të diskutojë trofeun në finalen e madhe të 1 gushtit.

Top Channel