Epidemia e COVID-19 rrezikon të dalë jashtë kontrollit në Shqipëri, thotë DW.

Gjiganti mediatik gjerman shkruan se vetëm gjashtë javë pas hapjes së vendit dhe daljes nga karantina, numri i viktimave në Shqipëri është trefishuar, në krahasim me numrin që shënonte në tre muajt e karantinës. Kurba e rasteve të reja të personave të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, pas rekordit prej 117 rastesh të tilla në fillim të kësaj jave, vazhdon të mbetet e lartë.

Autoritetet e shëndetësisë thanë se rastet e reja pozitive të të infektuarve me koronavirusin po shtohen dhe numri i jetëve të humbura arriti në një total prej 107 vetësh. Situata po shkon duke u rënduar, vazhdon DW. Në Tiranë, në spitalin infektiv të Qendrës Spitalore Universitare”  dhe ” Shefqet Ndroqi” të njohur edhe si Sanatoriumi, janë të shtruar 102 të prekur nga virusi, mes të cilëve 11 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Rastet aktive të infektuara më virusin vdekjeprurës kanë arritur në nivel vendi 1610 persona. Në krye të bashkive problematike vazhdon të jetë Tirana me 734 raste aktive, e ndjekur nga Durrësi me 209, Shkodra 199 dhe Vlora me 104. Më tej theksohet edhe se moshat e reja nuk janë më jashtë rrezikut, e ilustruar kjo me rastet fatkeqe të viktimave të fundit të moshave 20 apo 40-vjeçare, ndërkohë që në tre muajt e karantinës, vdekjet ishin kryesisht në moshat mbi 60 vjeç.

Kjo situatë vazhdon mes të tjerash të bllokojë dhe shpresat e qytetarëve se Shqipëria do të dalë nga lista e shteteve me të cilat BE-ja ka mbyllur kufijtë. Vendi ynë nuk përmbush nuk përmbush kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë që është 16 raste të reja të infektuara në 100 mijë banorë.

Top Channel