Ironizon ish-deputeti demokrat. Koncepti i Ramës për koalicionet, si shkarravinat e tij që i quan piktura

16/07/2020 17:59

Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu.

Në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama ripërsëriti vullnetin e tij për të firmosur marrëveshjen e 5 qershorit, e arritur në Këshillin Politik, mes partive më të rëndësishme në vend. Po ashtu ai i bëri thirrje dhe deputetëve të opozitës parlamentare që të votojnë marrëveshjen. Ndërkaq, Rama gjithashtu ka shtruar idenë e implementimit të një skeme të re në kushtetutë, e cila i jep fund koalicioneve partiake dhe i hap rrugë krijimit e listave të përbashkëta brenda dy ose më shumë partive. Një ide kjo që ka hasur kundërshtim nga radhët e opozitës jashtë parlamentare, të cilët nuk janë dakord me skemën e propozuar. Me të njëjtën vijë logjike vijoi dhe ish-deputeti Klevis Balliu. Ai  e përshkroi këtë skemë si një krim ndaj demokracisë. Ndërsa pyetjes së gazetarit Dyrnjaja, në lidhje me listën e përbashkët, Balliu iu përgjigj duke ironizuar Kryeministrin dhe tha se, “shkarravinat e tij i quan piktura, por tjetër thotë dhe tjetër janë”.

Denis Dyrnjaja: Është një hile e Ramës fakti që ju thotë të bëni një listë të përbashkët dhe të dilni me kandidatë të përbashkët, kur është fjala vjen të bëhet një listë e përzier midis PD-së LSI-së, e partive të tjera opozitare. Është kjo një truk, një hile, ose një kleçkë për të fituar zgjedhjet.

Klevis Balliu: Ky është një krim i Ramës ndaj demokracisë, koalicionet ekzistojnë për një arsye, për përfaqësimin sa më të gjerë të qytetarëve, të komuniteteve, minoriteteve.

Denis Dyrnjaja: Po Rama koalicion e quan këtë, listën e përbashkët e quan koalicion.

Klevis Balliu: Rama dhe shkarravinat e tij i quan piktura, por tjetër thotë dhe tjetër janë, është çështje e tij ajo. Fakti është ky që kushtetutën zotëria dëshiron ta ndryshojë duke hequr pikërisht fjalën koalicione. Sepse me atë që ai propozon, koalicione nuk do të ketë, se nuk është koalicione. Nuk duhet parë kjo se po bën një hile apo një lëvizje politike. Ky është një krim që i bëhet demokracisë, ky është një krim që i bëhet qytetarëve dhe Shqipërisë.

Top Channel