Duke filluar nga sot, zona si Kinostudio, Rruga e Dibrës, Xhamlliku, Hoxha Tahsim, Brryli, Pazari i Ri, si rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, Bulevardi i Ri, Don Bosko, Lapraka, Mine Peza, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Myslym Shyri, Fusha e Aviacionit, ish-Parku i Autobusëve, NSHR-ku, Dogana, janë me 24 orë ujë në qytetin e Tiranës. 

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Infrasturkturës Belinda Balluku inauguruan impiantit e ri të Bovillës që dyfishon prurjet me ujë dhe transmetimin në rrjet duke garantuar për 62 për qind të kryeqytetit furnizim 24 orë në ditë. “ Pas një historiku 100 vjeçar peripecish, shteti i Edi Ramës dhe ministrat tanë, kolegët tanë në Ujësjellës, në Agjenci të ndryshme, vendosën donin, dinin dhe bënë dhe më vjen mirë që sot kemi një ditë të bardhë për ujin në Tiranë. E di që kjo do të jetë një verë e nxehtë si gjithë të tjerat dhe fakti që mund ta themi sot pas testimeve që 62% e Tiranës edhe në pikun e verës dhe të vapës ka mbërritur në një situatë të tillë, meriton mirënjohjen në fakt deri te punonjësi i fundit që ka punuar dhe punon ende sot në Tiranë për të rregulluar një rrjet kapilar që ishte i degraduar, e deri te ata inxhinierë të shkëlqyer që prodhuan një histori suksesi fantastike”, tha Veliaj.

Duke garantuar se puna do të vijojë me rinovimin e rrjetit të shpërndarjes edhe në nivel kapilar në çdo lagje, kryebashkiaku Veliaj theksoi se skuadra e drejtuar nga Edi Rama është gati për të fituar kampionatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme për t’u siguruar që mbajmë premtimin deri në fund për Tiranën 24 orë me ujë para vitit 2024.

“Ndërkohë ajo që lipset sot është të bëjmë një punë kapilar. Sot jemi në një Tiranë me 1 milionë banorë, ku qartazi nëse nuk dyfishojmë dhe nuk punojmë me dyfishin e ritmit, jo vetëm për të mbajtur rritjen e popullsisë, por mbi të gjitha për të ruajtur dhe rikuperuar të gjithë ato humbje që kemi pasur nga e kaluara, ne nuk ia dalim dot. Ndaj ajo që thoshte Michael Jordan, talenti mund të fitojë një lojë, por është skuadra dhe një skuadër që bën një punë të papërtuar që mund të fitojë një Kampionat. Kjo skuadër mes qeverisë së Edi Ramës dhe Bashkisë së kësaj Administrate, di të fitojë kampionate. Jo vetëm një sukses modest, për një kampionat të tërë dhe mezi pres që ne të fitojmë kampionatin tonë të tretë, në zgjedhjet e ardhshme për t’u siguruar që mbajmë premtimin deri në fund për Tiranën 24 orë me ujë, para vitit 2024”, deklaroi Veliaj.

Veliaj theksoi se falë miradministrimit të UKT-së, është arritur që nga një kompani në prag të falimentit, të jetë një nga kompanitë më të besueshme dhe më të suksesshme duke arritur të mbledhë 98.8% të faturimit. “Arkëtojmë 98.8 % të faturave, na mundësoi që me paratë tona dhe me një financim të BERZH. Dua t’ju jap edhe atyre një duartrokitje, kanë qenë partnerët tanë kyç. Hera e parë që pa një garanci sovrane kanë financuar një SHA jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin, arritëm të shtojmë me 50% vendin ku filtrohet uji. Pra nuk mjafton vetëm filli i trashë që vjen nga Bovilla, duhet edhe koka e gjilpërës ku futet ky fill. Falë firmës së fundit të kryeministrit që na akordoi shpronësimin e një territori tjetër në krahun tim të majtë, ne do ta çojmë në 100% dyfishimin e filtrimit të ujit në Tiranë, për t’ju siguruar që edhe ajo 1/3 e qytetit që vërtetë s’e ka ujin 24 orë, por ka kaluar nga regjimi me 3,4,5 orë në një regjim me 16, 17 apo 18 orë, në mandatin e tretë të Edi Ramës kryeministër, brenda vitit 2024 do të jetë edhe ajo pjesë e Tiranës me 24 orë ujë të pijshëm”, u shpreh ai, teksa komentoi edhe deklaratat e opozitës për çmimin e ujit. “E di që ka shumë veta që thonë: Po patjetër sepse u rrit çmimi. Çmimi në qytetin e Tiranës është sot 65 lekë. Ne në fakt fizikisht sot, për metër kub ka kandidatë për të bërë punët e shtetit të cilët mendojnë që çmimi i qumështit në fakt është më i lirë se çmimi i ujit. Kjo është e pavërtetë, dhe duket dikush që çohet në 11:00, nuk ka bërë kurrë Pazar, nuk ia ka idenë e çmimeve. Nëse thotë që çmimi i një litri qumësht dhe po thoshte që ka vajtur sa uji, 130 lekë, me aq lekë blen 2 metra kub ujë, pra blen 2 mijë shishe qumështi të mbushura me ujë dhe kjo është diferenca mes atyre që kanë menaxhuar dhe dinë të menaxhojnë.

Çmimi i ujit në territorin ku jemi sot këtu që në fakt është zyrtarisht territori i Kamzës, është identik 65 në Tiranë, dhe 65 lekë në Kamzë. Pra kemi arritur që duke mbajtur çmimin në fashën më të ultë të çmimeve në Republikën e Shqipërisë të prodhojmë një rezultat spektakolar”, nënvizoi Veliaj.

Top Channel