Presioni ndërkombëtarëve dhe kundërshtia e forta të opozitës së bashkuar jashtë parlamentit, nuk penguan shumicën qeverise dhe opozitën parlamentare ti hapin dritën jeshile ndryshimit të dy neneve të kushtetutës që lidhen me zgjedhjet duke ia lënë të shkuarës listat e mbyllura dhe koalicioneve parazgjedhore.

Me 22 vota pro Këshilli Legjislacionit dhe Komisioni Ligjeve ndryshuan nenin 64 të kushtetutës nga ku zgjedhësve u garantohet vota parapëlqyese që vjen përmes listave të hapura.

“Jo më pak se dy të tretat e listës shumë emërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.” Sanksionohet në ndryshim.

Kjo do të thotë se listat nuk hapen 100% sic kërkonin 29 deputetët firmëtar të ndryshimeve kushtetuese por vetëm 2/3 e listave, ndërkohë që 1/3 e listës caktohet në mënyrë të pandryshueshme nga partia. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë ndryshim kushtetues po japim një shembull.

Nëse një parti politike fiton 15 mandate në Tiranë, atëherë 11 janë në listat e mbyllura të partisë dhe të caktuar prej saj dhe vetëm 4 deputetë mund të zgjidhen nga qytetarët.

Në nenin 68 të kushtetutës parashikohej se “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”. Me ndryshimin e sotëm kushtetues u hoq togfjalëshi “koalicionet zgjedhore të partive politike”.

Socialisti Alket Hyseni anëtarë i Këshillit të legjislacionit i tha Top Channel se ndryshimi dy neneve është i lidhur organikisht më njëri tjetrin.

“Futet koncepti listave të hapura pra një koncept i votës parapëlqyese të elektoratit, duke i vënë një dysheme kushtetutbërësit tashmë ta miratojë jo më pak se 2/3-tat që do të thotë 2/3 deri 100”.

– Po për sa i përket koalicioneve parazgjedhor?

“Kemi hequr përkufizimin koalicione zgjedhore dhe janë vetëm dy subjekte zgjedhore të parashikuara nga kushtetuta partitë politike dhe zgjedhësit e drejtpërdrejtë por kjo nuk ndalon që subjekte të caktuara parti politike vetë brenda listës së tyre të mund të organizohen me kandidatura të subjekteve të ndryshme por brenda partisë politike”.

24 orë përpara këtyre ndryshimeve kushtetuese, opozita e bashkuar i quajti si një veprim diabolik, vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet.

“Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje” theksoi opozita e bashkuar. /Muhamed Veliu/

Top Channel