Athinë/ Ishte arratisur nga burgu ku kryente dënim me burgim të përjetshëm, arrestohet 43-vjeçari shqiptar (detajet)

13/07/2020 19:58

Policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar 43 vjeç, Agim Margegaj nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Sipas departamentit të anti drogës së Atikës, 43 vjeçari u kap në zonën Artemidha të Athinës, gjatë një operacioni ku iu sekuestrua lënda narkotike prej 5 kg heroinë e pastër, e mbërritur në Athinë nëpërmjet Kakavijës me një automjet Mercedes Vito me targa shqiptare, drejtuesi i së cilës mundi t’i shpëtoje agjentëve dhe është shpallur në kërkim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma 1100 euro cash,një peshore elektronike dhe dokumenta greke të falsifikuara.(pasaportë dhe kartë identiteti)

Policia thotë se kishte informacione të sigurta lidhur me sasinë e drogës se trafikuar prej 43 vjeçarit, ndërkohë që po heton edhe gjithë rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike

Gjatë hetimeve rezultoi se 43 vjeçari i arrestuar, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte arratisur nga burgu ku kryente dënim me burgim të përjetshëm dhe nuk ishte kthyer mbas një leje disa ditore që kishte marrë prej administratës së burgjeve.

43 vjeçari u dërgua në gjykatë e cila vendosi ta dërgojë në burg nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, dënim i cili pritet t’i shtohet atij të marrë më parë nga drejtësia greke.

Top Channel