Luhen sot 3 ndeshjet e mbetura të javës së 33 të Kategorisë Superiore.

Vëmendja do të jetë te sfida mes Kukësit dhe Teutës që do të luhet në 20:45 në Elbasan Arena. Skuadra verilindore do të kërkojë të përfitojë nga barazimi 1-1 në derbin mes Tiranës dhe Partizanit për të reduktuar në 4 pikë diferencën me bardheblutë. Por skuadra e Orges Shehit nuk do të ketë një ndeshje të lehtë pasi përballë do të ketë Teutën që është vërtet në një formë të mirë, me skuadrën durrsake që synon pjesëmarrjen në Europa League. Për më tepër,  të dyja këto dy skuadra janë edhe në gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë dhe në mesjavë do të luajnë sfidën e kthimit në Niko Dovana

Po në orën 20:45 do të luhet edhe sfida mes Skënderbeut dhe Vllaznisë në Korçë, me skuadrën shkodrane që vjen në këtë sfidë me një sponsor të ri. Skënderbeu ndodhet në vendin e 6  vetëm 6 pikë para vendit të 8 të playout-it që mbahet pikërisht nga Vllaznia dhe skuadra korçare do të kërkojë që të rrisë akoma më shumë diferencën me këtë pozicion. Nga ana e saj edhe skuadra shkodrane do të bëjë përpjekjet e saj në luftën për të evituar playout-in për javët e mbetura të kampionatit.

Më herët në 17:45 do të luhet sfida mes Laçit dhe Luftëtarit. për skuadrën kurbinase duket një ndeshje e lehtë në letër teksa përballet me një ekip të rënë nga kategoria, një sfidë ku ajo do të kërkojë të marrë fitoren për të vijuar garën e saj për një vend në Europa League. të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore do të transmetohen në platformën DigitAlb

 

Top Channel