Haradinaj-nënës së vëllezërve Bytyqi në 21-vjetorin e rënies: Do të kujtohen përgjithmonë

08/07/2020 10:57

Në 21-vjetorin e rënies, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar tre dëshmorët e “Batalionit Atlantiku” Agron, Yll e Mehmet Bytyqi, duke iu drejtuar nënës së tyre Bahrijes.

Kryetari Haradinaj ka thënë se dhembjen e madhe për rënien e tre vëllezërve Bytyqi e ndan së bashku me familjen e tyre.

“E dashur nënë Bahrije, Familje Bytyqi dhe bashkëluftetarë të “Batalionit Atlantiku”. Sot kur kujtojmë 21-vjetorin e rënies së Agronit, Yllit e Mehmetit, të jeni të sigurtë se dhembjen e madhe po e ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, i është drejtuar Bahrije Bytyqit, duke thënë se djemtë e saj iu bashkuan luftës çlirimtare në momentet vendimtare të saj.

Haradinaj ka thënë se shpirti i tyre human dhe edukimi atdhedashës, do të kujtohen përgjithmonë.

“Djemtë tu, erdhën në Luftën Çlirimtare, në momentet më vendimtare të saj. Ata i dhanë dimension të ri luftës sonë për liri. Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për bijtë tuaj. Shpirti i tyre human, edukimi atdhedashës që e morën nga ju, heroizmi i tyre, do të përkujtohen përgjithmonë. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar në fund ai.

Top Channel