Richard Grenell, përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi foli sërish për rinisjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe rëndësinë e liberalizimit të vizave.

Në një postim në twitter, ai shkruante se është i kënaqur të shoh sesi europianët po organizojnë video-Samitin e Parisit më 10 korrik dhe takimin e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë në 12 korrik në Bruksel, nisma këto për të cilat siç tha, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë mbështetjen e tyre.

Grenell shtoi megjithatë se “ shpresojnë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave të përfundojë në këtë takim”.

Një ditë më parë, më shumë se 40 deputetë të Parlamentit Europian I dërguan letra presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, përmes së cilave kërkojnë që BE-ja të liberalizojë vizat me Kosovën.

Këta dy liderë të vendeve anëtare të bllokut konsiderohen si kundërshtarët më të fuqishëm të liberalizimit të vizave me Kosovës dhe nuk e kanë mbështetur një vendim të tillë në Këshillin e BE-së. “BE-ja është duke u përpjekur që të luaj rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur nëse ne vazhdojmë t’i trajtojmë qytetarët e këtyre dy vendeve në mënyra të ndryshme, duke u ofruar udhëtim të lirë qytetarëve të Serbisë dhe duke u vendosur pengesa për të gëzuar të njëjtën mundësi atyre të Kosovës”, thuhet në letër.

Top Channel