Brenda një muaji, Ministria e Arsimit ndryshon dy herë procedurën e aplikimit e regjistrimin e maturantëve në universitet.

Në 26 maj parashikoi që në raundin e dytë dhe te tretë të kenë më pak degë për të zgjedhur, ndërsa në 23 qershor tërhiqet dhe le në fuqi procedurën e mëparshme. Maturantët do të përzgjedhin serish 10 degë, ku ata duan të studiojnë dhe jo 7 degë në raundin e dytë si udhëzohej në maj, e 5 degë në raundin e tretë. Kjo situatë i ka ngatërruar maturantët, teksa thonë që nuk janë venë në dijeni.

“Unë personalisht nuk isha në dijeni për ndryshimet e bëra, duke qenë se ndryshimet e bëra nuk janë komunikuar nga vetë stafi pedagogjik i shkollës por kanë dalë më së shumti në portale. E mora vesh pak ditë më parë se nga 7 zgjedhje kemi mundësinë për 10 si më parë. Ndoshta është një gjë e mirë se do kemi më shumë mundësi zgjedhjeje dhe nëse nuk kapim degën e dëshiruar, nuk do digjemi”, shprehet maturantja Frenki Çipi.

“Mbivendos konfuzionin se përderisa u ndryshua dy herë, a mos ndoshta do ndryshohet prapë? Cfarë duhet të presim ne tani. Nëse ne do vazhdojmë të njoftohemi në mënyrë të papritur atëherë ne nuk do kemi kohë të reflektojmë për zgjedhjet që do bëjmë. Marrja e vendimeve të reja në një kohe kaq të shkurtër duhet të ishte shumë transparent te të gjithë maturantët”, sqaron maturantja tjetër, Grejd Hyska.

Nga 3 korriku, maturantët kanë filluar të kryejnë pagesën në vlerën e 2000 lekëve për aplikimin në universitet. Pasi të kenë konfirmuar pagesën me kodin e aplikimit dhe faturën e pagesës pranë mbikëqyrësit të shkollës, nga 29 korriku deri në 3 korrik maturantët që duan të ndjekin studimet e arsimit të lartë nëpërmjet portalit e-albania online do të përzgjedhin 10 preferencat, si fillim universitetin e më pas programin e studimit.

Dhe renditja e fituesve bëhet në 31 gusht, e procedura vijon më tej me regjistrimin e tyre në institucionet arsimore nga 2 shtatori në 15 shtator. Të rinjtë që nuk fitojnë degën që dëshirojnë, kanë mundësi të riaplikojnë në raundin e dytë nga 19 shtatori në 21 shtator ose në raundin e tretë nga 12 tetori në 14 tetor.

Top Channel